Pandemia e Covid 19 na ka gjetur të gjithëve në befasi. Erdhi si një “hajdut”, siç citohet në Ungjill, pa lajmëruar, pa pritur e pa kuptuar.
Unë e di se për shkollat tona kjo situatë ka qenë një sfidë e madhe, në të gjitha nivelet. Na është dashur që brenda një nate të përshtatemi me realitete të reja, në Shoqërinë tonë e në bashkësitë edukuese e, kjo do të thotë vështirësi, vuajtje, paqartësi e madje edhe kaos që kjo pandemi ka shkaktuar.
Gjithsesi, unë, gjithashtu, di se shkollat tona i janë përgjigjur kësaj situate në mënyrë krijuese e me shumë bujari duke vazhduar që të ofrojmë një edukim transformues në këto kontekste të reja.
Faleminderit të gjithë ju: edukatorë, drejtues, familje, nxënës e bashkëpunëtorë për gjithë bujarinë, dedikimin dhe sakrificën!
Ju keni treguar, në këto ditë, në një mënyrë të admirueshme, se çfarë do të thotë të kesh vëmendjen mes Cura Apostolica dhe Cura Personalis të edukimit tonë të traditës, një mënyrë për të ushtruar misionin që kujdeset për secilin prej nxënësve tanë, familjet e komunitetin në të cilin ne bëjmë pjesë. Ju keni dhënë një dëshmi të mrekullueshme se ç’do të thotë të jesh një edukator që shoqëron, inkurajon, motivon edhe në situata të papritura e të vështira. Ju keni ndjekur shembullin e Jezusit, duke sjellë shpresë e gëzim, madje edhe në situata ekstreme. Ju e keni kthyer pandeminë në një mundësi për të qenë person për dhe me të tjerët.
Në emër të Shoqërisë së Jezusit, unë ju dërgoj falënderime të përzemërta për dashurinë e dedikimin që keni treguar. Kam besim se Zoti ynë i mirë do të vazhdojë t’ju bekojë ju, e në këtë mënyrë ju të vazhdoni të shoqëroni nxënësit tuaj, familjet e bashkësitë gjatë kësaj kohe të pandemisë e të post-pandemisë, edhe pse ne akoma nuk e dimë sesi do të shkojë.
Zoti ju bekoftë, që kështu, në këtë kohë, paradoksalisht, të jetë një mundësi për të krijuar një të ardhme plot me shpresë që të mund të kontribuojë në një përtëritje të Universit, që Papa Françesku na fton në Enciklikën e tij të fundit “Fratelli tutti”.
Jeni në lutjet e mia në përballimin e kësaj situate, në të cilën jemi të gjithë së bashku.